26 August 2017

Arian Leka: Antologjia e brezit të ri/ Si një tejqyrë për të na e sjellë Tjetrin më pranë

Antologjia e brezit të ri/ Si një tejqyrë për të na e sjellë Tjetrin më pranë



Postuar më: 26 August 2017 11:03

Ekskluzive/Shkrimtari Arian Leka, si rrallë shkrimtarë në këtë vend, në punëtorinë e zgjerimit të njohjes së arealit letrar shqiptar në rajon, e ndërsjelltas. Në këtë kauzë vjen botimi i tretë i Antologjisë poetike me autorët më të rinj shqiptarë, e sapopërkthyer në Mal të Zi, botim që vjen pas daljes në Kroaci dhe Serbi, shoqëruar me parathënie kritike; ku jemi me atmosferën letrare, atë që konsiderohet klasike














Nga Arian Leka

I
Edhe dy vjet pas botimit të Antologjisë poetike të brezit më të ri të autorëve shqiptarë (Booksa, Zagreb, 2014) përkthyer në gjuhën kroate nga Shkëlzen Maliqi dhe së fundmi botuar edhe nga Beton në Beograd, përkthyer nga Anton Berishaj, fakti mbetet po ai. Me gjithë disa botime të tjera, që kanë ndodhur ndërkohë në revista letrare të rajonit dhe në Perëndim, letërsia shqiptare vazhdon të mbetet më pak e njohura ndër letërsitë e vendeve të Europës juglindore.
Thuajse për të gjithë dhe kudo, kjo letërsi vazhdon të jetë njësia e papranishme, vijon të jetë e vonuar në njohje, vonon në takimet e saj me lexuesin dhe mungon thuajse përherë në libraritë, në bibliotekat publike të qyteteve dhe në leximet e klubeve letrare dhe të panaireve te librit. Dhe, nëse do i besonim përfytyrimeve të Jorge Luis Borges-it se kujtesa i ngjan një biblioteke, mund të shtojmë se kjo letërsi mungon edhe në kujtesën e vetjake të lexuesit 'tjetër', atij që di fare pak rreth emrave, mbi proceset e brendshme, mbi tematikat, ndjesitë, prirjet dhe domethënien e të qenit shkrimtar në një vend si Shqipëria, letërsia e së cilës jo rrallë përfshihet në kategorinë "less-known literature" dhe edhe më shpesh te grupi i "small literature".
Thellimi në arsyet sociale dhe politike herë-herë, në ndrydhjen e vullneteve apo në fobitë kulturore që ekzistojnë mes fqinjëve e që zbulojnë deri diku edhe shkaqet pse letërsia shqiptare ka mbetur disi jashtë vëmendjes dhe më pak e njohur se të tjerat në rajon, do i takonin një shtjellimi tjetër dhe jo paraqitjes përuruese të një antologjie, që vjen falë dëshirës së mirë të "Ars" në Malin e Zi fqinj.
Por sugjerohet kujdes dhe mirëkuptim, sa herë që përdorim terma të tillë si letërsi të vogla – gjuhë të mëdha apo gjuhë e kulturë minore. Kjo pasi letërsia, si çdo formë tjetër e krijimtarisë shpirtërore dhe intelektuale, shpesh nuk përfaqësohet nga numrat, por nga peshat, rëndesat dhe rëndësitë, qoftë dhe të atyre pak emrave dhe veprave të përveçme letrare. Dihet tanimë se përveç çështjes së vullneteve, në kuadrin e kulturës globale krijimtaria letrare gjuhëve me më pak përdorues e humbet disi autonominë, duke u bërë e varur nga përkthimet dhe përkthyesit. Pjesë e kësaj vartësie është edhe letërsia shqipe, sigurisht.
Por a duhet të ishte kështu? Në punimin e saj "Not Small. Minor" studiuesja Jana Bukova përmend dy mekanizma për zgjimin e interesit të zonave më të mëdha kulturore ndaj letërsive më të vogla, në rrugëtimin e tyre drejt zgjerimit të zonës së njohjes dhe të konfirmimit të tyre. Më së pari, do të duheshin të ishin nismat institucionale, që me gjithë ndonjë paraqitje të dyanshme, janë ende të pakta.
Do të duhet të përmendnim si arsye edhe rolin që mund a duhet të luante për letërsitë e vendeve si Shqipëria dhe të tjerat të ngjashme me të, prania e një autori të suksesshëm – autori qendër. Pas autorit të "gjuhëve të vogla" qëndron përherë një autor përfaqësues, që luan rolin e shënjuesit. Por a qëndron dikush a diçka mes këtyre letërsive. "Askush!", është përgjigja kur vjen fjala për mbështetjen institucionale. Ndërkohë, lidhur me praninë e autorit – qendër Bukova, për rastin shqiptar shprehet: "…që nga momenti kur emri i Kadaresë bën të ditur praninë e vendit në hartën letrare, shanset janë të hapura automatikisht për autorët e tjerë shqiptarë".
Vonesat, mosprania, izolimi dhe tkurrja e një letërsie në vetëm pak emra u kanë treguar autorëve më të rinj se transporti letrar përmes përkthimeve dhe botimeve në kultura të tjera nuk është thjesht çështje emrash të përveçëm dhe dëshirash vetjake. Nevoja për komunikim është më e madhe sesa humbja e qëllimeve për ta përcjellë pjesën e pazbuluar të letërsisë shqiptare.
Ndërkohë, prania e dy tipareve: ai i monopolit të emrave (janë thuajse po ata emra) dhe i hapësirës së gjuhëve të përkthimit (që, me ndryshime të pakta, mbetet po ajo) dëshmon se me gjithë lëvizjen, letërsia shqipe vazhdon të përhapet ngadalë.
Edhe prirja për zgjerim të hapësirës gjuhësore drejt çekishtes, polonishtes apo gjuhëve që u shfaqën pas shthurjes së ish-Jugosllavisë, është shoqëruar me skepticizëm, pasi aty vërehet më shumë zell sesa profesionalizëm, më shumë rastësi e përpjekje të vetë autorëve sesa ai proces i pritshëm dhe i njëmendtë i përfaqësimit të një letërsie dhe të një kulture përtej kufijve të saj politikë.
Deri më sot, në mënyrë ironike, politikat kulturore të institucioneve kanë qenë shkëmbime formale, të ngjashme me operacionin e shkëmbimit të pengjeve në brezin fqinj: – të jap një autor / më jep një autor. Por zgjerimi i hapësirës kulturore dështon sa herë që oferta e brendshme letrare nuk bëhet pjesë e një sistemi më të gjerë. Rastësia apo thjesht dëshirat, që kanë zëvendësuar sistemin, nuk mund të jetë "eureka" të përhershme.
Përpjekjet, që deri më sot u ngjajnë më tepër përpëlitjeve, vetëm sa e përforcojnë ndjesinë se në marrëdhëniet mes vendeve të rajonit (marrëdhënieve politike, diplomatike, ekonomike) ndërprerja, më shumë se kudo tjetër, ndihet në marrëdhëniet kulturore. Arsyet, përfshi këtu mosvëmendjen, mungesën e strategjive, mungesën e përkthyesve, nacionalizmin kulturor apo mosgatishmërinë në përurimin e kulturave të vendeve fqinje, mund të jenë të shumta, por jo aq të mjaftueshme sa të përligjin këtë mungesë, që për saktësi të termit do qe e mira ta quanim me emrin e vet: vonesë e secilit prej nesh në kulturën e tjetrit.
Kësisoj, hartimi i një përmbledhjeje letrare, ardhur nga një vend 'i huaj', i cili, ndonëse fqinj, mbetet ende pak i njohur, kulturalisht ngjall kureshtje. Sidomos për pyetjen nëse është apo jo Shqipëria një vend normal, për sa i përket rrjedhave letrare.

II
Do të duhej pra, që kjo ngjarje letrare të trajtohej si e zakonshme, të mos tërhiqte shumë vëmendjen, të mos vështrohej me çudi dhe të mos prodhonte lajm për mediet. Por kjo ndodhí normale për shkëmbimet kulturore, sidomos mes kulturave fqinje, ka ngjallur po aq habi, sa ç'ngjallte dikur kalimi ilegal i kufirit prej ndonjë kokëkrisuri. Shkaku? I thjeshtë. Një antologji letrare mëton ta kapërcejë përkufizimin e saj kuptimor, që e mban të lidhur me përfytyrimin e një buqete lulesh, siç na e sugjeron etimologjia për fjalët ἀνθολογία apo florilegium. Domethënia ka rolin e vet, duke filluar që nga arsyeja e të qenit bashkë në këtë përzgjedhje këtyre emrave dhe jo e të tjerëve, që mund t'u ishin bashkangjitur atyre. Autorët e kësaj antologjie janë krijues, që e nuk e kanë kufizuar letërsinë vetëm në shkrimësinë e teksteve, por përdorin atë si një mjet komunikimi intensiv dhe të zgjeruar edhe përmes mediumeve të tjerë. Vetë kjo antologji i ngjan si një network-u jo vetëm mes autorëve, por edhe mes shoqërisë ku këta autorë kontribuojnë.
Pavarësisht sesa kjo shoqëri i lexon këta autorë, ata ia kanë dalë të shmangin anonimatin.
Përtej pretendimit për t'i sjellë të gjithë autorët më të zëshëm të viteve të fundit, kjo antologji e teknikave mikse në prozë dhe në poezi shfaqet si udhërrëfyes letrar.
Ngritur mbi kritere estetike, ky botim mëton të krijojë një çarë prej nga hyn drita, një spotlight apo një sonnenschein për të njohur e kuptuar atë që botohet dhe që është ende proces letrar në Shqipëri.

III
Dymbëdhjetë autorët (Lindita Arapi, Darien Levani, Mariklena Niço, Lindita Komani, Flurans Ilia, Lisiana F. Demiraj, Eljan Tanini, Gresa Hasa, Arti Lushi, Sabina Veizaj, Edon Qesari, Albana Nexhipi) vijnë si kreshta e një vale më të gjerë shkrimtarësh që, prej më se një dekade, komunikojnë me lexuesin e tyre.
Duke u botuar fillimisht në revistat "MM", "Mehr Licht", "Milosao", por veçanërisht në revistën "Poeteka", apo duke lexuar në festivalin eponim, këta autorë kanë ngulmuar ta përfshijnë krijimtarinë e tyre brenda peizazhit kulturor të vendit. Pikërisht nga një kulturë e tillë, e aktit të botimit dhe e recitaleve leximore është hartuar kjo përzgjedhje.
Në dallim nga paraardhësit, që u identifikuan me grupime estetike, ideologjike, me avangardën apo brezin letrar, autorët e rinj nënvijëzojnë rëndësinë e vetjakes në krijimtari dhe ndjesinë e plotë të lirisë së brendshme. Gjithsesi pa i shpëtuar krejtësisht militantizmit social, këta autorë mblidhen jo rreth një estetike apo ideologjie të caktuar, por rreth një energjie kulturore debatuese. Të jetë kjo antikultura e re që, teksa ndjek shtegun e hapur nga avangarda e pas viteve '90, i kundërvihet zbrazëtisë që krijohet sa herë që rendet ndërrohen përmes përmbysjeve dhe kur pragmatizmi ngre krye si zot i jetës së globalizuar? Pavarësisht se nuk kanë mundur ende të çlirohen nga format light të narcizmit dhe të ekzibicionit mediatik, autorët e kësaj breznie nuk i shqetëson më magjepsja e lexuesit përmes të ashtuquajturave 'tema të mëdha', simbolika mbresëlënëse, mjetet dhe instrumentet stilistikorë të sofistikuar. Këto nuk janë më as materia sunduese, as muza ndjellëse dhe as gurra ushqyese për këta autorë, madje edhe në ato pak raste kur ndonjërit prej tyre e tradhton fjalori dhe teksa e lexon të bëhet se takon ndonjë romantik të vonuar a një dadaist të ripërtërirë. Edhe kur nuk i kanë ende përgjigjet, këto tekste paraqesin dilemat (Tirana pa miqtë / Tirana bez prijateljaPo ju z. Lushi, ç'mendoni? / A vi g. Ljuši, što mislite?Kutia / Kutija; Nevojë për patetikë / Potreba za patetikom).
Një ndjenjë improvizimi, i prejardhur prej kulturës rockjazzrap dhe punk në komunikim e përshkon këtë antologji, duke e bërë ambicioze këtë krijimtari.
Vetëmbrojtja nga mosleximi duket se është ajo që e shtyn këtë prirje drejt mjete të arteve të tjera, me forma më komunikuese. Ndërkaq, sukseset e arritura lehtë, përmes kritikës së lirë, mbetet rrezik për këta autorë të mikluar më fort nga media, sesa nga shtëpitë botuese dhe nga kritika e mirëfilltë. Por mes poetëve dhe prozatorëve të kësaj antologjie ka dallime dhe shenja afrimi. Nëse krijimtaria e Lindita Arapit, përveç vlerave të spikatura letrare, shfaqet simbolikisht në këtë antologji edhe si ura lidhëse mes brezit të viteve '90 tashmë të afirmuar dhe atyre të viteve 2000, një autor tjetër sapo e ka provuar shijen e botimit të librit të parë. Të tjerë kanë provuar vlerësimet përmes çmimeve letrare apo përkthimeve në gjuhë të huaj, ndërkohë që ndokush është ende në fillesa, numëron dorëshkrimet apo e qarkullon krijimtarinë në versionin oral të leximit në kulmet letrare.
Siç vërehet, panorama nuk është aq e varfër. Por as përkatësitë, as formimi apo të kaluarat e ndryshme letrare, as ngjashmëritë mes tyre dhe as pangjashmëritë me brezin letrar paraardhës nuk i kanë penguar këta autorë të shfaqen të unifikuar në ndjeshmëritë e tyre ndaj asaj që ndodh brenda shoqërisë.
Paradoksalisht zëri autorial dëgjohet i impostuar: nga out në in. Është kjo shenja paralajmëruese e mbylljes, rikthim në perspektivën radikale të vetmisë së individit krijues apo një formë e komunikimit bashkëkohor mbetet ende e hapur? Syri i brendshëm zhytet te vetja, për të propozuar të vërteta më jetëgjata se e përditshmja, apo ato të propozuara nga propaganda kulturore, sidomos kundrejt një teme gati tabu si marrëdhënie, të cilën e kanë prekur thuajse të gjithë autorët pjesëmarrës, duke hartuar kështu një mikroantologji brenda antologjisë (Nënat / Majke; Grua / Žena; Ime më / Moja mati; Karmin / Ruž;).
Nuk bëhet fjalë për vizione apo rebelim, të ngjashëm me të beat generation, por refuzimi si dimension social është pjesë e teksteve të tyre letrare (Në cep / Iz kuta; Pikturë në lëvizje / Slike u pokretu; Udhëtimi / Putovanje; Pasqyrë për çatdhesim / Zrcalo domovinogubitništva).
Përtej asaj që te këta autorë do e cilësonim si energji të re kulturore, refuzimi postmodern si një konstante, u ka dhënë teksteve të tyre më shumë pavarësi, por njëkohësish edhe më shumë vështirësi për t'i klasifikuar apo për t'i bërë pjesë e një tradite letrare.
Tematika e teksteve të këtyre autorëve përjeton, ndoshta si pakherë në letërsinë shqiptare, zgjerimin e zonës së vetmisë. Kjo ndjesi, e pampiksur ende te këta autorë, shfaq dramatikën e vet po ta vendosim përballë gjendjes së të qenit vetmitar në epokën shoqërive të hapura dhe të interkomunikimit.
Gjurmët e përjetimeve sociale, emocionet në bashkësi, si pjesë e trashëgimisë së të shkuarës, janë zhdukur nga tekstet. Duket si fillesa e shfaqjes në formë letrare e krizës së njeriut të shoqërive postdiktatoriale, shoqërive të mbyllura dhe të pashëruara ende nga autoritarizmi, por duhet ende kohë që magma të mpikset.
Poetika e intimes ka një armik të fortë edhe në këtë antologji: – masskulturën, përjetimin masiv, globalizimin e ndjesive, pra, që shfaqet si profili i dytë i krijimtarisë. Qenia e gënjyer prej utopisë së dy sistemeve, të komunizmit dhe kapitalizmit, që mbërriti i vonuar në Shqipëri, ia la vendin krijesës që zhgënjehet nga gjithçka. Liria e brendshme në tekstet e kësaj antologjie shndërrohet në vetmi të brendshme.
Peizazhi human deformohet po aq sa edhe peizazhi urban i vendit, që përditë e më shumë humb një herë natyrën dhe një natyrshmërinë e sjelljes. Një shoqëri plastike, klon, duket se po afrohet, po të lexosh disa prej teksteve të kësaj antologjie. (Nga dritarja e vogël e shtëpisë sime / Sa malenog prozora moje kuće; Jashtë çmendinës / Izvan ludnice). Pas kësaj, në tekste shfaqen edhe gjurmë të veçimit, homofobisë, përjashtimit shoqëror, madje edhe të etnocentrizmit, si një përndjekjeje (Në cep / Iz kuta; Njeriu në anën tjetër / Čovjek s druge strane). Aty ndeshim forma të qëndrimit ironik edhe ndaj së keqes, kur është pritur kundërvënia ndaj saj, së paku letrarisht.
Trajtimi thjesht si paradoks social i disa fakteve të rënda të deformimit të jetës shqiptare, të cilat merren si pikënisje për tekstin letrar, bashkë me shpjegimi përmes logjikës së të absurdit dëshmon imagjinatë të autorit dhe dëshirën për të modeluar një shoqëri përmes veçimit, por jo edhe fuqinë për të kundërshtuar këtë deformim human (Gjokset / Grudi).
Por sakaq, ndihet edhe pasurimi të letërsisë me tema të patrajtuara gjerësisht më parë, të tilla si marrëdhënia e individit me trashëgimitë dhe traditat, roli i tabuve (Tjetri / Drugi; Në shtëpinë e marrëzisë / Luda kuća), mitet lokale (Toka ime / Moja zemlja ) dhe mitologjitë ndërkombëtare (Bastisje tingujsh mittle-europianë / Racija mittle-europskih zvukova).
Përveç krijimit të këtij mozaiku, në këtë përmbledhje i është kushtuar vëmendje edhe shmangies, me sa ka qenë e mundur, e cliché-ve dhe të ashtuquajturës 'letërsi me porosi'. E kam fjalën këtu për prirjen e vërejtur në letërsitë e rajonit tonë, për një rikthim të cliché-së tematike, që cilat prej vendeve të caktuara mirëpresin dhe brohorasin vetëm disa tema të paracaktuara. Në rastin shqiptar këto kanë qenë cliché me tema bunkerësh, gjakmarrjesh, burrneshash, ekzotikë false, Kanun, prostitucion, banda kriminale, trafikim klandestin, shpikje të çuditshme shqiptare brenda komunizmit etj.
Këto trajtime, të lodhura dhe të shpërdoruara tanimë, janë mbajtur disi larg në përzgjedhje. Pjesë e kësaj përzgjedhjeje letrare janë edhe disa autorë që krijimtarinë e tyre e kanë ngjizur larg atdheut dhe vendlindjes. Duke minimizuar nostalgjinë si kriter estetik dhe lehtësinë e qortimit apo lëvdatës së veseve a virtyteve kombëtare nën ndikimin e lentes zmadhuese të distancës, këta autorë duket se plotësojnë panoramën me 'tjetrin' tonë të brendshëm. Dhe sa herë që flasim për 'Tjetrin', kujtohem për një instrument të hershëm, të cilin gjyshërit tanë, lundërtarë të brigjeve të Adriatikut, me siguri e kanë njohur dhe e kanë përdorur. E kam fjalën për tejqyrën. Tejqyra ishte mjeti që, përmes lenteve, na e sillte Tjetrin më pranë. Prej tejqyrës dikur ishim në gjendje që jo vetëm ta dallonin Tjetrin, por edhe t'i njihnim sjelljet dhe tiparet e tij të veçanta.
Herë qëllimshëm dhe herë me mendjelehtësi, ndodhte që tejqyrën e vinim mbrapsht. Atëherë Tjetri pranë nesh degdisej larg, në fund të botës, bëhej i padukshëm, i panjohur dhe i paqenë, siç shpesh janë edhe letërsitë tona. Shpresoj që kjo antologji të jetë një farë tejqyre, vendosur në anën e duhur, nga lentja që zgjon kureshtje, afron. Përtej kësaj rri dhe dëshira për ta nxitur vëmendjen e lexuesit dhe të botuesve, jo vetëm të këtyre autorëve apo ndaj autorëve që nuk janë pjesë e kësaj antologjie, por letërsisë së 'Tjetrit' në përgjithësi. Atij që mungon në librari, biblioteka, revista letrare dhe panaire libri. Për të pohuar atë që tashmë e dinë shumë prej nesh: se letërsia, e panjohur, e papritur, delikate, e fuqishme, mbirë si një fije bari mes plasave të betonit, mbetet pjesë e së mirës mes nesh.

/Mapo.al/

22 August 2017

MAPO: Një zë i vrazhdë e sfidues nga Kosova - Shpëtim Selmani - POETEKA TIRANA IN BETWEEN

Rezidenca letrare "POETEKA - Tirana in Between", që fton shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa, organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit europian për letërsinë dhe librat Traduki, Ministrisë së Kulturës, Ambasadave të Gjermanisë, Austrisë dhe partnerëve të tjerë vendës dhe ka ftuar për qëndrim njëmujor 32 shkrimtarë dhe përkthyes nga rajoni dhe Europa. Ky program mirëpriti gjatë muajit gusht autorin nga Kosova Shpëtim Selmani.

I vendosur në kohën e tij, Shpëtim Selmani shfrytëzon të gjitha mjetet e ndjeshmërisë individuale duke tërhequr vëmendjen si një nga autorët më të spikatur të brezit të ri letrar në Kosovë. Ndoshta për këtë brez s'është e lehtë të thyhen kanonet e letërsisë, por Selmani si duket ka ndryshuar rregullatorin personal të arkitekturës krijuese. 

Ai shkruan poezi, prozë, dramë dhe publicistikë por luan edhe në teatër. Me këtë përballje të re, ky autor është përzgjedhur nga Poeteka – Tirana Between të jetë në programin e rezidencës për muajin gusht. I cilësuar si një zë i vrazhdë, i thellë e sfidues për individin dhe kolektivin përmes të cilave Selmani realizon katarsisin për lirinë e shprehjes

I lindur në Kosovë, 1986, Shpëtim Selmani ka studiuar sociologji në Universitetin e Prishtinës, ka përfunduar studimet Master në Fakultetin e Arteve – Aktrim. Ai shkruan poezi, prozë, dramë dhe publicistikë dhe luan gjithashtu në teatër. Më 2006 Shpëtim Selmani botoi librin me poezi "Brenda Gucës", në 2011 botoi edhe përmbledhjen tjetër me titullin "Poezi", ndërsa "Shënimet e një Grindaveci" u botuan nga "Qendra Multimedia" në vitin 2015 dhe u përurua në Tiranë, në qendrën kulturore "Tulla". 

I vlerësuar si një nga autorët më të spikatur të brezit të ri letrar të Kosovës, në tekstet e tij ai ndjek një frymë avangardiste, që shkëputet në përmbajtje dhe stil nga kanonet e letërsisë tradicionale, e cila orientohej ose me ide iluministe, romantike e progresiste të jetës kombëtare, ose me një modernizëm të tipit hermetik dhe simbolist.

"Duke qenë i frymëzuar nga letërsia bitnike dhe adaptimi i saj për nënqiellin e Kosovës që e ka bërë Arben Idrizi në fillim të këtij shekulli, Selmani në shkrimet e tij sjell fjali, ide dhe pamje të drejtpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës…", thuhet në paraqitjen e këtij autori nga "Poeteka". 

Ndërsa publicisti Shkëlzen Maliqi vlerëson se nga ky autor marrim "ide dhe pamje të drejtpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës, herë ironik e sarkastik, por që në instancën e fundit synon një katarsis shëlbyes të lirisë së shprehjes".

"Unë e admiroj këtë zhabë unike në një pellg të harruar. Unë e admiroj kreativitetin, inteligjencën dhe veçantinë e tij, pa dyshim. Unë e admiroj disiplinën e tij, njohuritë dhe shumëllojshmërinë e talentit të tij, natyrisht. Por para së gjithash – unë e admiroj atë si një qenie me të vërtetë të mrekullueshme…", ka shkruar shkrimtari Vladimir Arsenijevic.


/Mapo.a/


https://www.mapo.al/2017/08/nje-ze-i-vrazhde-e-sfidues-nga-kosova/1

20 August 2017

Shpëtim Selmani - “POETEKA – Tirana in Between” - WRITER IN RESIDENCE PROGRAMME - GUSHT / AUGUST 2027

Shpëtim Selmani (Kosovë, 1986) është mik gjatë muajit gusht në Programin "POETEKA – Tirana in Between", Rezidencë që fton Shkrimtarë dhe Përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa dhe që organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit  europian për letërsinë dhe librat TRADUKI.

Shpëtim Selmani ka studiuar sociologji në Universitetin e Prishtinës, ka përfunduar studimet Master në Fakultetin e Arteve – Aktrim. Ai  luan në teatër, shkruan poezi, prozë, dramë dhe publicistikë. Më 2006 ai botoi librin me poezi "Brenda Gucës", në 2011 botoi edhe përmbledhjen tjetër me titullin "Poezi" dhe në vitin 2015 botoi edhe  "Shënimet e një Grindaveci".

Shpëtim Selmani është një nga autorët më të spikatur të brezit të ri letrar të Kosovës. Në tekstet e tij ai ndjek një frymë avangardiste, që shkëputet në përmbajtje dhe stil nga kanonet e letërisisë tradicionale, e cila orientohej ose me ide iluministe, romantike e progresiste të jetës kombëtare, ose me një modernizëm të tipit hermetik dhe simbolist. Duke qenë i frymëzuar nga letërsia bitnike dhe adoptimi i saj për nënqiellin e Kosovës që e ka bërë Arben Idrizi në fillim të këtij shekulli, Selmani në shkrimet e tija sjell fjali, ide dhe pamje të dretpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës, herë ironik e sarkastik, por që në instancën e fundit synon një katarsis shëlbyes të lirisë së shprehjes.

 

,,Shpëtim Selmani në shkrimet e tij sjell fjali, ide dhe pamje të drejtpërdrejta të përditshmërisë së vrazhdë dhe shumëfish sfiduese për individin dhe kolektivitetin, me një zë herë thellësisht shpotitës, herë ironik e sarkastik, por që në instancën e fundit synon një katarsis shëlbyes të lirisë së shprehjes,,.

Shkëlzen Maliqi, Publicist.

,,Unë e admiroj këtë zhabë unike në një pellg të harruar. Unë e admiroj kreativitetin, intelegjencën dhe vecantinë e tij, pa dyshim. Unë e admiroj disiplinën e tij, njohuritë dhe shumëllojshmërinë e talentit të tij, natyrisht. Por para së gjithash – unë e admirojë atë si një qenie me të vërtetë të mrekullueshme,,.

Vladimir Arsenijević, Shkrimtar.

 

 

 

Total Pageviews